Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pati një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Lajmi u bë publik nga Moska që njoftoi se Putin i uroi suksese shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, në zbatimin e programit të tij elektoral. Siç raporton Kremlini, presidenti rus i shprehu Trump -it se ai është i gatshëm të nisë dialogun me administratën e re amerikane, në një raport të bazuar mbi parimet e barazisë. Gjatë bisedës së dy krerëve të shteteve raportohet se është diskutuar për situatën në Siri, si edhe u ra dakord se marrëdhëniet mes dy vendeve janë “ekstremisht jo të kënaqshme”. Putin dhe Trump premtuan se do të qëndrojnë në lidhje të vazhdueshme telefonike dhe se do të shikojnë axhendat për të fiksuar një takim kokë më kokë. Gjatë fushatës presidenciale Donald Trump shprehu admirim për presidentin rus Putin, të cilin e cilësoi një lider më të mirë se presidenti Obama. Nga ana tjetër presidentit rus tha se Trump është një njeri i shquar dhe padyshim me talent. Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, në intervistën e tij të parë pas triumfit në zgjedhje, tha se do të mbajë premtimin për dëbimin e emigrantëve. Trump premtoi se sapo të marrë detyrën më 20 Janar do të dëbojë apo burgosë deri në 3 milionë emigrantë ilegalë me rekorde kriminale. Miliarderi nënvizoi gjithashtu se do të heqë dorë nga paga e presidentit prej 400,000 dollarësh në vit dhe në vend të kësaj shume do të marrë vetëm një dollarë.

Artikulli paraprakEUROPA E MBETUR VETËM?
Artikulli tjetërLAVROV: I TMERRUAR ME SANKSIONET KUNDËR PRESIDENTIT TË FIDE-s