
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi pas një telefonate dy-orëshe me Presidentin rus, Vladimir Putin, se “Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, një FUNDI të Luftës”.
“Kushtet për këtë do të negociohen midis dy palëve, siç mund të ndodhë vetëm sepse ato i dinë detajet e një negociate për të cilat askush tjetër nuk do të ishte në dijeni”, tha Trump në Truth Social, duke shtuar se “toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera”.
“Rusia dëshiron të bëjë tregti të shkallë të gjerë me Shtetet e Bashkuara kur të mbarojë kjo ‘gjakderdhje’ katastrofike, dhe unë pajtohem. Ekziston një mundësi e jashtëzakonshme për Rusinë për të krijuar sasi të mëdha vendesh pune dhe pasurie. Potenciali i saj është i PAKUFIZUAR”, vazhdoi Trump. Ai tha gjithashtu se Ukraina “mund të jetë një përfituese e madhe në Tregti”.
Trump tha se menjëherë i informoi udhëheqësit e mëposhtëm për përmbajtjen e thirrjes telefonike pasi ajo përfundoi: Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministren italiane Giorgia Meloni, Kancelaren gjerman Friedrich Merz dhe Presidentin finlandez Alexander Stubb.
“Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar se do të ishte shumë i interesuar të priste negociatat. Le të fillojë procesi!”, shtoi Trump.