Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ai njoftoi gjithashtu për tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare dhe rritje të inflacionit.

Ndaj mallrave të importuara nga Kosova është vendosur tarifë prej 10 për qind, ndaj atyre nga Shqipëria 10 për qind, Serbia 37 për qind, Bosnia e Hercegovina 35 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 33 për qind.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ndaj importeve nga Kina do vendoset tarifë prej 34 për qind, ndaj atyre nga Bashkimi Evropian 20 për qind, Korea e Jugut 25 për qind dhe Japonia 24 për qind.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se tarifa bazë prej 10% do të hyjë në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi pas një jave, më 9 prill.

Trumpi shpalli emergjencë ekonomike kombëtare për t’i zbatuar tarifat, të cilat pritet të prodhojnë qindra miliarda dollarë të ardhura vjetore.

Ai ka premtuar se vendet e punës në fabrika do të kthehen në Shtetet e Bashkuara si rrjedhojë e këtyre tarifave, por politikat e tij rrezikojnë ngadalësim të papritur ekonomik pasi konsumatorët dhe bizneset mund të përballen me rritje të mëdha të çmimeve për automjetet, rrobat dhe mallra të tjera.

Tarifat janë taksa që u ngarkohen mallrave të importuara nga vende të tjera. Ato shihen si një mjet për të mbrojtur industrinë vendase nga konkurrenca e huaj.

Rritja e çmimit të mallrave të importuara synon t’i inkurajojë konsumatorët që të blejnë produkte më të lira vendase dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë në rritjen e ekonomisë së tyre.

Sipas agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, rreth 20 vende anëtare të BE-së kanë eksportuar më shumë se importuar nga SHBA-ja në vitin 2023.

Tarifat e Trumpit tashmë janë përballur me masa hakmarrëse, dhe njoftimi së mërkurës mund ta ndezë më tej një luftë tregtare globale./REL

Artikulli paraprak“KORRUPSIONI NË SHQIPËRI PO LUFTOHET MË SHUMË SEÇ ËSHTË LUFTUAR NDONJË HERË TJETËR”, RAMA: JEMI UNË DHE PS QË E KEMI SJELLË KËTË RISI HISTORIKE
Artikulli tjetërPUNA NË SHTET JOSHI EDHE NË 2024, DAP: 17.6 APLIKANTË PËR NJË VEND PUNE! JA PSE PREFEROHET PUNA NË ADMINISTRATË