
Në ambientet e Hotel Golden Palace në Shkodër është zhvilluar tryeza e rrumbullakët me temë “Nga sfidat te rekomandimet – Forcimi i bashkëpunimit dhe angazhimit për të parandaluar trafikimin e paligjshëm të objekteve kulturore” , organizuar nga Cultural Heritage without Borders – Albania (CHëB – Albania). Koordinatorja e projektit, Anisa Lloja, vlerësoi rëndësinë e këtij takimi dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ndërkohë, Drejtori Rajonal i Trashëgimisë Kulturore dhe Kulturës në Shkodër, Helidon Sokoli, theksoi se rritja e bashkëpunimit me institucionet dhe komunitetet është thelbësore për të zvogëluar fenomenin e trafikimit të objekteve kulturore.
Ai shtoi se “është e nevojshme ngritja e një regjistri digjital për dokumentimin e saktë të pasurive kulturore, si një hap i domosdoshëm për menaxhimin dhe mbrojtjen e tyre”.
Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe vendore, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe rekomandimesh në drejtim të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare.


