
Vitin e kaluar humbën jetën nga sëmundjet tumorale 3589 persona, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin paraardhës, por të dhënat tregojnë se më të dëmtuar nga kjo sëmundje kanë qenë femrat në moshën 30 -40 vjeç.
Gjatë vitit pandemik ku edhe gjithë vëmendja dhe energjitë e sistemit shëndetësor ishin përqendruar tek menaxhimi i Covid-19, sëmundja e tumorit ka rezultuar fatale në moshat e reja të popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në femrat e moshës 30-34 vjeç fatalitetet nga tumori u rriten me 120 për qind. Gjithsej humbën betejën me jetën 11 ferma në këtë moshë nga 5 në vitin 2019. Gjithashtu 21 ferma në moshën 35 -40 vjeç u përballen me vdekjen për shkak të tumoreve me një rritje 100 për qind në raport me vitin 2019 .
Mjekët onkologë arsyetojnë se gjatë vitit pandemik u rriten vështirësitë për të marrë shërbimet mjekësore dhe trajtimet rutine me kimioterapi që të sëmurët me tumore marrin zakonisht. Kufizimet në lëvizje vështirësuan trajtimin e tyre në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa shumë persona nuk kanë mundur të marrin diagnozën në kohë për të evituar një infektim të mundshëm me virusin në spitale.
Neoplazmat ishin grupi i tretë më i madh nga sëmundjet që shkaktojnë fatalitete. Zakonisht vdekshmëria është më e lartë në moshat mbi 60 vjeç, por vit pas viti ka një zbritje në mosha të reja, si pasojë e kequshqyerjes, ndotjes dhe stilit të jetesës.
Prevalenca për mijë banorë me të sëmurë me kancer shihet të ketë pësuar rritje me 70% gjatë dekadës, sipas të dhënave spitalore.






