
Nga Holanda në Shkodër, për të zbuluar një tjetër pasuri të veriut të Shqipërisë. Kjo familje holandeze ka zgjedhur vendin tonë për pushime dhe një prej ndalesave të saj është Ura e Mesit, një nga monumentet më karakteristike të zonës. Për turistin, kjo është vizita e parë në Shqipëri, ndërsa pas tre ditësh qëndrimi përshtypjet janë të qarta.
Por ajo që ka lënë më shumë mbresa tek ai dhe familja e tij nuk janë vetëm monumentet apo peizazhet. Mikpritja, moti dhe atmosfera që kanë gjetur gjatë udhëtimit janë disa nga arsyet pse Shqipëria po u pëlqen kaq shumë.
Mes elementeve që e kanë tërhequr më shumë është edhe kultura shqiptare, por mbi të gjitha kontakti me njerëzit. Përshtypjet pozitive janë aq të mëdha, sa turisti thotë se do ta promovojë Shqipërinë edhe tek të njohurit e tij në Holandë. Sipas tij, një nga avantazhet e vendit është mundësia për të vizituar shumë destinacione në një distancë relativisht të shkurtër.
Edhe pse Shqipëria, sipas tij, ka ende çfarë të përmirësojë, krahasimi me Holandën nuk e zbeh aspak përshtypjen pozitive nga udhëtimi.
Një vizitë familjare që për këtë turist holandez po shndërrohet në një eksperiencë që ia vlen të rekomandohet. Nga Ura e Mesit, ai largohet me përshtypje të mira për Shkodrën dhe Shqipërinë, duke veçuar natyrën, kulturën, atraksionet turistike dhe mbi të gjitha mikpritjen shqiptare.
https://youtu.be/O051EBpsjtM






