
Disa turistë kanë shpëtuar mrekullisht pasi një gur i shkëputur nga shpati i malit ka rënë mbi automjetin me të cilin po udhëtonin në rrugën drejt Thethit.
Guri ka goditur pjesën e sipërme të automjetit dhe më pas ka depërtuar në kabinë, duke përfunduar mes sediljes së shoferit dhe asaj të pasagjerit.
Pavarësisht momentit të rrezikshëm dhe dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara në automjet, asnjë prej turistëve nuk ka pësuar lëndime.
Ngjarja rikthen edhe një herë në vëmendje rrezikun që paraqesin rrëshqitjet e gurëve në aksin rrugor drejt Thethit, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi i turistëve dhe automjeteve është i lartë.
Ky nuk është rasti i parë kur masivë shkëmborë shkëputen përgjatë kësaj rruge, duke rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve dhe kalimtarëve. Gjatë stinës së dimrit, segmente të caktuara të aksit janë bllokuar disa herë nga rënia e gurëve dhe e dherave, duke vështirësuar qarkullimin.
Pas këtij incidenti, pritet që autoritetet përgjegjëse të vlerësojnë situatën dhe të marrin masa për rritjen e sigurisë në këtë segment rrugor, një nga akset më të frekuentuara gjatë sezonit turistik.






