Sezoni i pushimeve gjatë këtij viti ka qenë pozitiv për turizmin kulturor. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i vizitorëve në muze, monumente dhe parqe arkeologjikë u rrit edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit.

Në tre muaj, numri i vizitorëve arriti në 332 mijë, në rritje me 15% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Për nëntë muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 555 mijë vizitorë në muzetë dhe monumentet e vendit. Destinacioni kulturor më tërheqës për turistët ngelen parqet arkeologjike. Në tremujorin e tretë, parqet arkeologjike patën mbi 150 mijë vizitorë ose rreth 45% e numrit totalë të vizitorëve në atraksionet historike të vendit. Kjo rritje i detyrohet kryesisht tendencës pozitive të turizmit hyrës.

Në 10 muaj, Shqipërinë e kanë vizituar 4.6 milionë shtetas të huaj, 7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vendi ynë ka tërhequr një numër në rritje vizitorësh gjatë viteve të fundit, edhe falë çmimeve më konkurruese të paketave krahasuar me destinacionet e tjera të rajonit.

Artikulli paraprakFESTA E ÇLIRIMIT, HERONJTË NË GJËNDJE TURPI
Artikulli tjetërERKAND QERIMAJ NË SHBA PËR KAMPIONAT