Hendeku ndërmjet turizmit dhe bujqësisë sa vjen e zgjerohet, teksa numri i vizitorëve rritet dhe nga ana tjetër, prodhimi bujqësor tkurret vit pas viti. Këto zhvillime siç tregojnë të dhënat po ndikojnë në rritjen e çmimeve të mallrave te shportës dhe në zgjerimin me ritme dyshifrore të importeve të ushqimeve.

Sipas INSTAT, gjatë muajit çmimet e perimeve shënuan rritjen më të fortë prej 10.1% gjatë korrikut, duke kaluar nga norma negative në fund të vitit të kaluar në një rritje dyshifrore. Kërkesa e shtuar nga strukturat hoteliere dhe shërbimet ushqimore ka krijuar presion mbi prodhimin vendas, i cili nuk ka qenë në gjendje të përballojë këtë rritje të menjëhershme.

Si pasojë, tregu është orientuar drejt importeve, shpesh me kosto më të larta, duke reflektuar menjëherë këtë presion në çmime. Të dhënat e 6-mujorit nga tregtia e jashtme tregojnë se importet e ushqimeve gjatë kësaj periudhe ishin 14% më të larta se në janar-qershor 2025.

Në korrik gjithashtu u vu re një rritje jo e zakontë e produkteve të peshkut me 9.4%. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e lartë nga restorantet dhe hotelet në zonat turistike, të cilat gjatë sezonit veror funksionojnë me kapacitet të plotë dhe kërkojnë sasi të mëdha furnizimi ditor. Në të njëjtën linjë janë edhe produkte te tjera te shportës ushqimore. Mishi ka shënuar rritje prej 4.6% në korrik, ndërsa qumështi, bulmeti dhe vezët janë rritur rreth 3.1%, duke treguar se presioni i kërkesës po përhapet në të gjithë zinxhirin ushqimor.

Nga ana tjetër, disa produkte kanë shënuar rënie, kryesisht për shkak të ofertës sezonale. Frutat kanë rënë me -3.0%, duke reflektuar prodhimin e bollshëm të verës, ndërsa vajrat dhe yndyrnat kanë treguar stabilizim pas luhatjeve të mëparshme. Edhe drithërat kanë mbetur relativisht të qëndrueshme, pa ushtruar presion të fortë mbi inflacionin.

Rritja e flukseve turistike po krijon një kërkesë të menjëhershme dhe të përqendruar për ushqime, ndërsa oferta vendase në rënie dhe e pamjaftueshme për t’u përshtatur shpejt. Konsumatorët vendas po përballen me një presion të dyfishtë, nga njëra anë rritja e kërkesës nga turizmi, dhe nga ana tjetër mungesa e një prodhimi vendas konkurrues dhe të mjaftueshëm. Kjo krijon një konkurrencë të drejtpërdrejtë për të njëjtat produkte, duke rritur çmimet në tregun vendas./Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprak‘SERBIA E HUMBI KOSOVËN, HARTAT JANË MË PAK TË GATSHME PËR KOMPROMIS’, RAMA I PËRGJIGJET VUÇIÇIT PËR IBRIN: LUMENJTË NDJEKIN GJEOGRAFINË DHE JO BISEDAT DIPLOMATIKE
Artikulli tjetërAKTIVITET ME 12 GUSHT PARA KINEMA REPUBLIKA, BASHKIA SHKODËR NJOFTIM PËR KUFIZIMET NË QARKULLIM DHE PARKIMIN