Turqia kritikoi të dielën një vendim të një gjykate të lartë të Bashkimit Evropian, që lejon ndalimin e mbajtjes së shamive të kokës në raste të caktuara. Ankaraja e cilësoi vendimin si një “shkelje të qartë të lirive fetare”, duke shtuar se vendimi do të përkeqësonte paragjykimet ndaj grave myslimane në Evropë.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (CJEU) me qendër në Luksemburg vendosi të enjten që kompanitë në vendet evropiane, mund t’i ndalojnë punonjësit të mbajnë shami, nëse ata duhet ta bëjnë këtë për të shfaqur një imazh neutraliteti ndaj klientëve.

Në një deklaratë të ministrisë së Jashtme turke thuhej se vendimi ishte një shenjë e rritjes së islamofobisë, në një kohë kur gratë myslimane në Evropë, siç shkruhej në deklaratë, po i nënshtrohen diskriminimit në rritje ndaj besimit të tyre fetar.

Të shtunën, drejtori i komunikimit i presidentit turk, Fahrettin Altun e dënoi vendimin, duke thënë “se ai ishte i gabuar dhe një përpjekje për t’i dhënë legjitimitet racizmit”.

Çështja e hixhabit apo shamisë së kokës, ka qenë përçarëse në Evropë për vite me radhë, duke nënvizuar dallimet e mprehta rreth integrimit të myslimanëve.

Partia AK me rrënjë islamike e Presidentit turk Tayyip Erdogan, e cila erdhi në pushtet në vitin 2002, duke sjellë dhe një përqasje pro-perëndimore e demokratike ndaj tregut, është kritikuar nga aleatët perëndimorë gjatë viteve të fundit për rritjen e autoritarizmit dhe intolerancës fetare. Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Greqia, Rusia dhe krerët e kishës, shprehën shqetësimin mbi veprimet e qeverisë së tij për ta shndërruar Hagia Sophia-në e Stambollit në xhami.

Ankaraja ka akuzuar vazhdimisht vendet evropiane se nuk po bëjnë sa duhet për të parandaluar diskriminimin ndaj myslimanëve, duke thënë se do të nisë botimin e një raporti vjetor, mbi ato që i quan shembuj të islamofobisë në të gjithë botën.

Në përgjigje të faktit nëse ndalimi i shamisë në vendin e punës përbën një shkelje të lirisë fetare, përfaqësuesit e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian thanë se ndalime të tilla, ishin të mundshme nëse justifikohen nga nevoja e një punëdhënësi, për të paraqitur një imazh neutral të kompanisë së tij.

Lidhjet mes Ankarasë dhe BE-së janë tensionuar mbi një mori çështjesh, kryesisht mbi mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Ankarasë për kufirin detar si dhe të drejtat mbi burimet e energjisë në Mesdheun lindor./ Voa