Forcat ushtarake turke kanë goditur një sërë objektivash të xhihadistëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit terrorist në Stamboll, ku mbetën të vrarë 10 turistë gjermanë, njoftoi kryeministri Ahmet Davutoglu gjatë së enjtes, në atë që konsiderohet si përshkallëzim domethënës të luftës së Ankarasë ndaj grupit ekstremist.

Bombardimet intensive të rreth 500 pozicioneve të Shtetit Islamik në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë dhe në Irakun verior, në vetëm 48 orë pas sulmit në qendrën historike të Stambollit, konsiderohen si veprimi më serioz sulmues i ndërmarrë nga Turqia kundër xhihadistëve gjatë kohëve të fundit. E ndërsa Turqia është kapluar nga dhuna nga Stambolli deri në juglindjen e trazuar të vendit, 6 persona, përfshi 3 fëmijë, janë vrarë pas shpërthimit të një kamioni me eksplozivë pranë një stacioni policor në provincën juglindore të Diyarbakirit, sulm për të cilin akuzohen militantët kurdë. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e konsideruar e jashtëligjshme, është armike e betuar e Shtetit Islamik, por qeveria turke ka këmbëngulur vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur se, ajo nuk bën dallim nga grupet e tjera terroriste me të cilat po përballet dhe që po i lufton. Duke folur para ambasadorëve të akredituar në Ankara në takimin e përvitshëm, Davutoglu tha se rreth 200 anëtarë të ISIS u vranë gjatë hakmarrjes së ushtrisë turke për sulmet e Stambollit. Megjithatë, kjo shifër nuk është konfirmuar nga burime të pavarura. “Pas sulmit të neveritshëm në Stamboll, forcat tona të armatosura goditën gjatë 48 orëve të fundit rreth 500 pozicion të Daesh (akronim arab për Shtetin Islamik) në Irak dhe Siri, duke përdorur artileri të rëndë dhe tanqet”, tha Davutoglu. “Çdo sulm që shënjestron miqtë dhe të ftuarit e Turqisë do të marrë ndëshkimin e merituar”, deklaroi ai.

Artikulli paraprakPOLITIKANI I DËRGON MERKEL 30 EMIGRANTË NË ZYRË
Artikulli tjetërPËRKEQËSIMI I MOTIT, MINISTRIA E BRËNDSHME APEL QYTETARËVE