Dyqind milionë europianë ose, ndryshe, më shumë se gjysma e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, njoftoi sot Komisioni Europian, që ka vendosur objektivin e 70% të të rriturve të vaksinuar këtë verë.

“Deri më tani, ka pasur 200 milionë njerëz që janë vaksinuar plotësisht në Bashkimin Europian”, tha zëdhënësja e KE, Dana Spinant, në një konferencë për shtyp.

“Ne kemi 68,4% të të rriturve në BE tashmë të vaksinuar me dozën e parë”, vazhdoi Spinant, e cila mirëpriti “përparimin shumë të prekshëm”.

“Tani jemi midis rajoneve të botës që kemi vaksinuar më shumë, por është e rëndësishme që ky përparim të shpërndahet në një mënyrë më të ekuilibruar, në mënyrë që të mos ketë ishuj ku virusi të përhapet dhe të shndërrohet”, shtoi ajo.

Sipas të dhënave zyrtare, pak më shumë se 440 milionë doza vaksinash janë administruar në BE.