
Mes kaosit dhe tymueseve në sallën e Kuvendit dhe me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, Arta Marku është votuar Kryeprokurore e Përgjithëshme e Përkohëshme, duke zëvendësuar Adriatik Lllallën. Arta Marku ka bërë në Kuvend betimin si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Pas leximit të formulës së betimit nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Marku u shpreh “Betohem!”, mes tensionesh në sallë me deputetët e opozitës.
Megjithatë, më herët situata u tensionua brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit. Protestuesit e opozitës tentuan të hyjnë në oborrin e Kuvendit, ku janë hedhur edhe tymuese me ngjyrë. Protestuesit po shtyjnë kordonin e policisë, ndërkohë që deputetët e PD-LSI-së ndodhen jashtë ambienteve.
Pak minuta më vonë, deputetët e PD-së kanë hedhur tymuese drejt foltores dhe vendit ku janë kryeministri e ministrat. Por pavarësisht kësaj kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ka vijuar me votimin e rendit të ditës.






