Gjykata e Shkodrës caktoi paraditen e të hënës masën e sigurisë “Arrest me burg për 15 ditë” ndaj shtetasve Pjetër Çakaj dhe Mirash Mali, të ndaluar mesditën e së enjtes nën akuzat “prodhim e shitje e lëndëvë narkotike” si dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Duke akuzuar policinë për arrestim të padrejtë, familjarët e dy shtetasve në fjalë kundërshtuan vendimin duke thënë se ata nuk kanë lidhje me 90 kilogramet e drogës si dhe armën e gjetur në fshatin Xhan të Njësisë Administrative Pult të Shkodrës. Sipas të afërmve të Pjetër Çakajt, ky i fundit jeton prej 25 vitesh në fshatin Grudë e Re, ndërsa kishte 2 vite pa shkuar në vendlindjen e tij, fshatin Xhan ku dhe janë gjetur provat materiale.

Sipas familjarëve, i dyshuari tjetër shtetasi Mirash Mali është me aftësi të kufizuar. Ata shtojnë se lënda narkotike nuk është gjetur në pronën e tyre. Gjatë seancës gjyqësore të mbajtur ndaj 2 shtetasve, familjarët nuk u lanë të hyjnë brenda. Pjetër Çakaj, 54 vjeç banues në fshatin Grudë e Re të Njësisë Administrative Rrethina dhe Mirash Mali, 51 vjeç banues në fshatin Xhan të Njësisë Administrative Pult do të qëndrojnë në burg për 15 ditë derisa prokuroria të paraqesë provat përfundimtare për rigjykim ndaj tyre.