Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar në lidhje me deklaratën e shefit të politikës së jashtme dhe sigurisë të BE-së, Josep Borrell, se Serbia është vendi i vetëm në Europë që pretendon anëtarësimin, por refuzon ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të bllokut duke refuzuar në mënyrë të vazhdueshme të ndërmarrë sanksione ndaj Moskës mbi luftën në Ukrainë. Vuçiç deklaroi se një vendim i tillë për të mos marrë sanksione, është sepse Serbia e bën politikën e saj si e pavarur.

“Unë kurrë nuk jam betuar për diçka ndryshe, përderisa ne mund ta ndjekim një politikë të tillë, këtë do të vazhdojmë të bëjmë”, tha ai.

Gati dy javë më parë, gjatë takimit që pati në Beograd me të dërguarin e BE-së për implementimin e sanksioneve, David O’Sullivan, Vuçiç nënvizoi se “ndonëse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, si partner i besueshëm, nuk do të lërë hapësirë që kjo të përdoret për veprime të paligjshme, të cilat do t’u mundësonin vendeve të treta të shmangin regjimin e masave kufizuese të BE-së”. Ai gjithashtu tha se Serbia është “e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, me respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve që dalin nga MSA-ja dhe Korniza negociuese”.
Vizita e O’Sullivan erdhi pasi Komisioni Europian u kishte dërguar ndërkohë vendeve anëtare të bllokut propozimin e tij të fundit për sanksione kundër Rusisë, ku propozoheshin masa ndëshkuese edhe ndaj vendeve të treta që anashkalojnë qëllimisht sanksionet e BE-së.

Artikulli paraprakSHUHET MBRETËRESHA E ROCK’N ROLL’-IT, NDËRRON JETË NË MOSHËN 83-VJEÇARE
Artikulli tjetërGJENDET PA SHENJA JETE 36 VJEÇARJA NË LAGJEN “TRE HERONJTË”