Vllaznia për femra shkruajti historinë duke u kualifikuar në grupet e Champions League. Pas ndeshjes, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku uron vajzat shkodrane për suksesin.

“Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë. Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.

Në FShF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë.
E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë.
Urime Vllaznia. Urime vajza!” – Shkruan Duka.