Banorët e lagjes “Liria” kërcënojnë se do të zënë rrugën e Shirokës ditën e hënë, nëse energjia elektrike nuk i lidhet kësaj lagjeje. Këtë të shtunë OSHEE Shkodër u ka prerë të gjithë lagjes dritat, ndërsa këta të fundit janë drejtuar në zyrat e OSHEE në Urën Dervishbeg duke protestuar. Edhe pse banorët nuk kanë arritur të kontaktojnë me drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, deklarojnë se energjia u është prerë padrejtësisht edhe shumë familjeve, të cilat nuk rezultojnë debitore.

Ndër të tjera, ky komunitet ndihen të diferencuar, pasi përveç shërbimit të dobët të energjisë elektrike, vuajnë mungesën e vëmendjes edhe përsa i përket institucioneve të tjera.

Të revoltuar, ata deklarojnë se nga mungesa e theksuar e kësaj vëmendjeje, asgjë nuk u ka mbetur.

Ndërkohë, të dëshpëruar kërcënojnë me mbytje në lumin e Bunës.