Ditën e nesërme në orën 10:00 do të mbahet ceremoni për nder të Luiza Gegës, e cila u shpall kampione e Europës në atletikë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i fton të gjithë qytetarët që nesër t’i bashkohen ceremonisë që do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.

“Shihemi nesër në 10.00 në ceremoninë e posaçme për nder të Luiza Gegës, me këdo e ka të mundur dhe dëshiron ta duartrokasë kampionen e parë europiane të atletikës me fanelën kuqezi të Shqipërisë”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Të shtunën, Luiza Gega bëri një paraqitje brilante në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kohën në 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qintat. Si rezultat i kësaj paraqitje Gega la pas gjermanen Meyer, e cila kishte edhe mbështetjen e publikut duke qenë se kampionati europian zhvillohet në Mynih. Një arritje e jashtëzakonshme e Gegës, e cila për më tepër vendosi edhe rekord europian të përmirësuar me pothuajse 6 sekonda. Në fund nuk munguan lotët e kampiones.

Atletja kuqezi, u rikthye këtë të hënë në atdhe ku u prit në Rinas nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli. Një punë e palodhur dhe plot sakrifica e konsideroi atletja shqiptare Gega, arritjet e saj duke thënë se nuk do të ndalet dhe se ndihet krenare për ngjyrat e flamurit që përfaqëson. E veshur me medalje ari, Luiza Gega tha se arriti t’i tregonte Europës që edhe shqiptarët mund tja dalin.

“Feleminderit për këtë pritje të ngrohtë. Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu ku jam sot. Zgjodha të përfaqësoj ngjyrat e flamurit tim, sa më denjësisht dhe jam shumë krenare. Më në fund i tregova edhe Europës që edhe në mund tja dalim. Nëse punon fort dhe nëse e do këtë vend mund t’ja dalësh. Gjërat kanë ndryshuar vitet e fundit për sportin. Më kanë dhënë një shtysë më të madhe për të gjithë mbështetjen. Kam bërë të gjitha këto që të vijë kjo medalje. Jam shumë e lumtur që ja dola. Dhe të rinjtë shqiptar mund t’ja dalin dhe kushdo që e do të këtë vend. Vetëm nuk do t’ja kisha dalë nëse nuk do të kisha edhe mbështetjen e trajnerit”, u shpreh Luiza Gega.

Për Luiza Gegën ky ishte veçse sukses i fundit, pasi gati 1 muaj më parë u rendit e pesta në botë, një tjetër rezultat i pamenduar ndonjëherë në atletikën shqiptare. Për më tepër në fillim të korrikut Gega fitoi medaljen e artë në Lojrat Mesdhetare të zhvilluara në Algjeri.

Artikulli paraprakVELIAJ I URON 27-VJETORIN DUA LIPËS: YLLI QË SHKËLQEN MË FORT. JEMI SHUMË KRENARË PËR TY
Artikulli tjetërNGA LOTËT TE TAKIMI ME STËRMASIN, FLET KAMPIONIA LUIZA GEGA PAS NATËS MAGJIKE: EMOCIONE TË FORTA, MEDALJEN DO T’IA DHUROJ…