Mesohet se prej dy ditësh, kryetari i PD, Lulzim Basha, ka udhëzuar intensifikimin e pranisë në terren të të gjithë grupit të ish-deputetëve, kryesisë dhe sekretariatit të partisë, por këtë radhë me një porosi jo të zakonshme për një parti politike.

Pas ngritjes së grupeve të koordinimit për të 6 zonat e prekura më rëndë nga tërmeti, Basha ka kërkuar prej tyre “…të takojmë qytetarët e prekur nga tërmeti, të evidentojmë çfarë nevojash kanë, dëmet e shkaktuara në banesa, të përpiqemi t’u vijmë në ndihmë me çfarë të mundemi.“

Porosia e pazakontë në këtë udhëzim, është kërkesa për të shmangur protagonizmin dhe daljet publike të kordinatorëve demokratë me qëllimin për ti vënë të gjitha energjitë në funksion të qytetarëve.

“Qëllimi nuk është të përdorim politikisht fatkeqësinë e madhe që na ka ndodhur, por t’u vijmë në ndihmë qytetarëve, prandaj, duhet të shmanget çdo dalje publike apo reagim personal, që mund të merret si përdorim politik i fatkeqësisë”, thuhet qartë në udhëzim.