UEFA e zyrtarizon, Armand Duka kandidat për Komitetin Ekzekutiv

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka zyrtarizohet si kandidaturë për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Emri i numrit 1 të futbollit shqiptar është zbuluar sot nga Komiteti Ekzekutiv aktual mes 13 kandidatëve që do të jenë për 8 vende. Kjo është hera e parë në historinë e futbollit shqiptar që një përfaqësues i futbollit mund të jetë pjesë kryesore e organizmit më të lartë të futbollit europian, si UEFA. Zgjedhjet do të zhvillohen më 5 prill në Helsinki dhe presidenti Duka do të jetë një kandidat potencial për këtë post. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është organi më i lartë i kësaj organizate. Ai përbëhet nga 16 anëtarë përfshirë këtu edhe Presidentin. Mandati i secilit antarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, është 4-vjeçar dhe është i ndarë në dy grupe me nga 8 anatarë, të cilët zgjidhen çdo dy vjet, ndërkohë që secili nga kandidatët ka të drejtën e rikandidimit. Roli i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është shumë i rëndësishëm për të marrë vendime që kanë të bëjnë me rregulloret dhe është pikërisht ky Komitet që administron UEFA-n. Nëse Armand Duka arrin që të bëhet pjesë e këtij Komiteti, kjo do të përkthehej edhe në një votë të sigurtë në muajin shtator, kur hidhet votimi për përzgjedhjen e stadiumit ku do të zhvillohet Superkupa e Europës, e ku në garë është edhe “Arena Kombëtare”, stadium ky në ndërtim e sipër. Ja lista e plotë e kandidatëve: Zbigniew Boniek (Poloni), Kairat Boranbayev (Kazakistan), John Delaney (Irlandë), Armand Duka (Shqipëri), David Gill (Angli), Reinhard Grindel (Gjermani), Marios Lefkaritis (Qipro), Elkhan Mammadov (Azerbajxhan), Karl-Erik Nilsson (Suedi), Kieran O’Connor (Uells), Michele Uva (Itali), Michael van Praag (Holandë) dhe Servet Yardimci (Turqi).