14 nxënësit e fshatit Obotit në njësinë Ana e Malit nuk kanë mundur që të shkojnë në shkollë gjatë ditës së sotme. Shtëpitë e tyre janë rrethuar nga uji duke e bërë të vështirë ndjekjen e procesit mësimor.

Që në mëngjes herët një mjet i ushtrisë shkoi në qendër të fshatit Obot duke qenë se rruga është e bllokuar por asnjë nxënës nuk erdhi për t’u transportuar me mjetin e ushtrisë. Banorët thonë se fëmijët në këtë situatë kur banesat janë të rrethuara nga uji e kanë të pamundur që të shkojnë në shkollë.

Administratori i njësisë Ana e Malit Arben Ceni tregon se niveli i ujit është rritur në fshatin Obot dhe përveç dëmeve të mëdha thotë se janë 14 nxënës që kanë mbetur pa mësim.

Tashmë që niveli i ujit është rritur dhe ka rrethuar afro 100 shtëpi në fshatin Obot nuk dihet se për sa ditë nxënësit nuk do të mund të shkojnë në shkollë për shkak të situatës së vështirë në të cilin ndodhen.