
Situata hidrike në kaskadën e lumit Drin vijon të monitorohet nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, ndërsa prurjet dhe nivelet e liqeneve paraqiten brenda parametrave të menaxhueshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, prurjet natyrore në kaskadë regjistrohen në 1500 metra kub për sekondë në HEC Fierzë, 500 metra kub për sekondë në HEC Koman dhe 60 metra kub për sekondë në HEC Vau i Dejës.
Në të njëjtën kohë, nivelet e liqeneve janë 289.8 metra në Fierzë, 173.3 metra në Koman dhe 74.9 metra në Vau i Dejës.
Prodhimi ditor i energjisë elektrike në të tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit ka arritur në 16 mijë e 300 megavat-orë.
Sa i përket shkarkimeve, HEC Fierzë nuk po kryen shkarkime, ndërsa nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës po shkarkohen nga 700 metra kub ujë për sekondë, në kuadër të menaxhimit të prurjeve.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka bërë të ditur se situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme dhe se opinion publik dhe autoritetet përgjegjëse do të informohen në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm.






