
Kultivimi i drogës në Qarkun e Lezhës ka pësuar rënie përgjatë vitit 2025, me mbi 1600 bimë narkotike më pak se në vitin 2024. Të dhënat u bënë publike gjatë takimit të Task-Forcës Vendore Anti-Kanabis, të drejtuar nga institucioni i prefektit. Por, pavarësisht rezultateve të arritura, prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, kërkoi angazhim maksimal dhe bashkëpunim mes institucioneve për frenimin e këtij fenomeni.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë konstatuar 39 raste të kultivimit të drogës, ku janë zbuluar 19 prej tyre dhe janë asgjësuar rreth 10 mijë bimë narkotike. Gjithashtu, janë arrestuar në total 31 persona, 6 prej të cilëve punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe kryetarë fshatrash.






