KESH ka blerë 13,5 mln euro energji elektrike për 9 ditë. Ulja e e çmimit të energjisë në bursë ka bërë që Korporata Elektro-energjitike Shqiptare të sigurojë energji për periudhën 3 deri në 11 shtator.

Për të importuar energjinë e nevojshme për të plotësuar kërkesën e vendit për konsum janë zhvilluar dy procedura .E para është zhvilluar për periudhën 3-4 shtator, ku është blerë 12.360 mwh me një çmim mesatar 487,63 euro. Vetëm për fundjavën KESH ka paguar 6 milionë euro. Ndërkohë për periudhën 5 deri në 11 shtator është blerë rreth 7,5 mln euro energji elektrike.KESH për një javë ka importuar 15.120 mwh energji elektrike me një çmim mesatar prej 494,73 euro.Aktualisht niveli i ujit në Fierzë rezulton se është 270 metra që rezulton pranë mesatares për këtë periudhë.Ndërkohë gjatë javës së ardhshme qeveria pritet të saktësojë planin për të përballuar vështirësitë energjitike. Deri më tani mësohet se fatura e energjisë elektrike do të paguhet me fasha dhe të gjithë ata që do harxhojnë mbi 800 kw do ta paguajnë me çmim tregu. Po ashtu është paralajmëruar se javën e ardhshme do rikthehet aksioni për prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë.

Pritshmëritë janë se javët në vijim do të ketë reshje duke ulur varësinë nga importi ndërsa brenda vitit parashikohet të nisë prodhimi i energjisë edhe nga dy tecet lundruese.