Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vlerësoi rezultatet e arritura deri më tani nga reforma në drejtësi, teksa tha se rezultati i parë ishte Vettingu, që shkarkoi e penalizoi 60% të magjistratëve, që kanë kaluar në filtrat e këtij procesi.

Për ministrin Manja reforma në drejtësi ka dhënë rezultate në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit, ndërsa shtoi se qeveria është gati të shtojë buxhetin për prokurorët e SPAK, nëse kjo strukturë do të ketë më shumë ngarkesë.

“Jam shumë krenar që më jepet mundësia të ndaj disa arritje të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit. Është shumë e rëndësishme ta theksoj faktin që sot jemi në këtë konferencë jo vetëm për të prezantuar strategjitë antikorrupsion apo për të ndarë me publikun luftën tonë kundërkorrupsionit, por për të ndarë arritjet tona konkrete kundër korrupsionit, vullnetit tonë politik të palëkundur për të mbështetur luftën kundër korrupsionit.

Si e shoh unë reformën në drejtësi 6 vite pas nisjes së saj?
Konstatoj se faza e parë, ajo e ngritjes dhe funksionalitetit të organeve të drejtës, është tashmë e përfunduar. Kemi hyrë në fazën e dytë, por kush janë rezultatet e para? Qëllimi i kësaj reforme ishte lufta kundër korrupsionit dhe rezultati i parë i kësaj reforme është Vettingu. Sot që flasim 60% e magjistratëve kanë kaluar në sitën e Vettingu dhe gati 60% e tyre janë shkarkuar. Rezultati tjetër është se në këtë fazë të parë të reformës është vulosur ngritja e një arkitekture të re brenda sistemit të drejtësisë, që sistemi të jetë llogaridhënës.

Sot që flasim, KLGJ, KLP janë garancinë që sistemi të mos bjerë më në pikën ku ishte, por të jetë një sistem që jep drejtësi. Së treti, dua të vë në dukje funksionimin e SPAK e BKH. Sot që flasim, SPAK e BKH kanë dhënë rezultatet e para të prekshme në nivelet e larta. Sot SPAK ka 17 prokurorë, BKH ka 28 hetues të emëruar dhe 32 të tjerë në proces emërimi, dhe janë një garanci se lufta ndaj korrupsionit në nivelet e larta garanton sukses.

Qeveria shqiptare ka buxhetuar me 114 miliardë lekë organet e drejtësisë për periudhën 2016-2022. Kemi krijuar mekanizmat e duhura që sistemi i drejtësisë të japë rezultate efektive në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta. Jemi gati të buxhetojmë shtimin e prokurorëve në SPAK, nisur nga ngarkesa e punës që do të ketë SPAK”, tha Manja.

Artikulli paraprakKONFERENCA ANTIKORRUPSION, TABAKU: TJETËR SPEKTAKËL I RAMËS, SHQIPËRIA ËSHTË SËRISH VENDI MË I KORRUPTUAR
Artikulli tjetërTË PAKTËN TRE TË VRARË NË SULMIN UKRAINAS NË DONETSK, MES TYRE NJË FËMIJË