Kryeministri Edi Rama si asnjëherë më parë në këto 8 vite qeverisje, shkundi kupolën drejtuese të policisë së shtetit duke lëshuar kritika të forta për performancën e deritanishme dhe situatën problematike të kriminalitetit në vend e sidomos sjelljen e uniformeve blu, më raport me qytetarët.

Rama: Është e pajustifikueshme që rasatet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët, sidomos nga ana e forcave Shqiponja dhe nga patrulla e përgjithshme, të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura. Rritja e rasteve të mungesës së etikës në komunikimin me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të Policisë që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet, nevojat dhe ankesat e qytetarëve. Ne kemi rritur, edhe në harmoni besoj me pritshmërinë e qytetarëve, rolin ndëshkues të policit rrugor, ndaj shkeljeve në rrugë. Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për qëllimin e neveritshëm të përfitimit të ryshfetit dhe është e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkuese të policit rrugor, falë ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, qytetarët të mos ndjejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor, ky është fakt.

Plagosjen në një lokal nate në Sarandë, kryeministri e përdori si shembull për të ilustruar korrupsionin mes disa drejtues policie dhe pronarëve të lokaleve.

Rama: Këta janë tutorët e Policisë së Shtetit në ato territore, këta janë korruptuesit e Policisë së Shtetit, këta janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e Policisë së Shtetit, që tërheqin prej hunde policë, shefa komisariatesh, duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm.
Rasti i Sarandës ishte një rast alarmant dhe e kam ndarë këtë gjë me ministrin e Brendshëm dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë, jo në hetime administrative, në masa ordinere, por në përjashtime imediate dhe ndëshkimin penal të personave përgjegjës.

Kryeministri i vendosi, një afat kohor uniformave blu në përmirësimin e performancën e të vetëkorrigjimit.

Rama: Unë dua t’iu them se keni 100 ditë kohë. 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal, nga i pari tek i fundit. 100 ditë. Asnjë ditë më shumë, që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër.Në çdo qark, në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë që nuk ka pandëshkueshmëri në Policinë e Shtetit, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta. Ju nuk e keni fare problem as t’i gjeni, as t’i kapni nga krahët dhe as t’i çoni përpara drejtësisë. 100 ditë. Ky është një objektiv i palëvizshëm në çdo qark. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, Shqiponja, skifterë, çakej që rrinë si të infiltruar brenda trupit duhet të shkojnë para drejtësisë. Në çdo qark! Në 100 ditë!

Marrë nga Top Channel

Artikulli paraprakINSTAT: INFLACIONI NË QERSHOR ARRITI NË 1.6%. RRITJE ÇMIMESH PËSUAN USHQIMET DHE KARBURANTI
Artikulli tjetërPLAGOSET ME SENDE TË FORTA NJË I RI NË KURBIN, TRANSPORTOHET TEK SPITALI I TRAUMËS