Ka nisur ditën e sotme në Durrës dhe Velipojë aksioni për lirimin e hapësirave publike në bregdet, të zëna në mënyrë abuzive nga subjektet. Bëhet me dije se në Durrës janë bllokuar 3 plazhe private, ndërsa 2 prej tyre i janë sekuestruar çadrat dhe shezlonget, ku njëri ndodhet te Ura e Dajlanit dhe tjetri te Shkëmbi i Kavajës.

Ndërkohë, në Velipojë po bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe për ata subjekte që nuk disponojnë lejen, do t’i bëhet bllokimi i shezlongeve dhe çadrave.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike në plazhe filloi një ditë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, Rama paralajmëroi dje subjektet që t’i lironin vetë hapësirat e zaptuara pa leje, ose në të kundër do të largohen me pahir dhe do i konfiskohen të gjitha çadrat e shezlongët, për të mos iu kthyer më.

“Një gjë është e padiskutueshme se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir dhe unë dua t’i bëj thirrje sot të gjithë atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull.

Policia e Shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojnë çdo lloj çadre a shezlongu tjetër ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit. Plazhet janë të popullit dhe për aq sa subjektet private janë të përfshira në garantimin e një sezonin turistik janë edhe të tyre si përgjegjësi, aty ku kjo përgjegjësi u është njohur ligjërisht.

Subjektet që nuk janë të vendosura sipas ligjit duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin dhe atë bazë materiale që kanë siguruara për biznesin e tyre, pasi do ju merrte dhe nuk do ju jepet më mbrapsht. Kjo është ajo që doja të thoja shkurtimisht”, tha Rama dje.

Artikulli paraprakBE: DERI NË GUSHT VARIANTI DELTA PËRGJEGJËS PËR 70% TË INFEKTIMEVE NË EVROPË
Artikulli tjetërOPERACIONI PER SHEZLLONET NE VELIPOJE, POLICIA JEP DETAJE