Kërkesa ultimative e amerikanëve për t’u ndarë nga Sali Berisha deri në shtator pas përfshirjes së tij në listën e zezë për korrupsion madhor, pengim të drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri, ka prodhuar mbrëmë tension, mesazhe të koduara kërcënuese dhe zhvillime intensive në Partinë Demokratike. Lëvizjet e mbrëmshme konfirmuan edhe një herë pafuqinë e padiskutueshme të Lulzim Bashës përballë Sali Berishës dhe Familjes së tij, si dhe kontrollin absolut të Partisë Demokratike nga Berisha dhe rrethi i tij. Sali Berisha arriti të shuante brenda tre orësh debatin e hapur në Partinë Demokratike për largimin ose jo të tij nga partia, duke detyruar Lulzim Bashës të ndërmerrte tre lëvizje; të kërkonte ndjesë për lejimin e këtij debati, të shpallte Berishën ‘burrë shteti’ si dhe të urdhëronte ndalimin e një debati të tillë në të ardhshmen.

Po le t’i marrim zhvillimet hap pas hapi. Fillimisht ishte sekretarja e sapozgjedhur në Partinë Demokratike për ish të përndjekurit politikë, Jonila Godole, e cila tha se Partia Demokratike duhet të distancohet nga Sali Berisha, ashtu siç CDU u distancua dikur nga Helmut Kohl.

 

“Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme. Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjreman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund”.

Edhe pse drejtuese e një sekretariati të rëndësishëm në PD, qëndrimi i Jonila Godole nuk do të shkaktonte kurrsesi furtunë në PD, nëse deklarata e saj nuk do të pasqyrohej në faqen e ‘Rilindjes Demokratike’, që është organi zyrtar i PD-së. Pasqyrimi në ‘RD’ i propozimit për t’u ndarë nga Berisha është lexuar si një vullnet i Lulzim Bashës. Ky detaj i rëndësishëm nuk mund të kalonte pa u vënë re nga Sali Berisha. ‘Syri.net’, një media e kontrolluar nga Familja Berisha, pasqyroi qëndrimin e Jonila Godoles, por duke i dhënë një mesazh Bashës. ‘Syri.net’ kujtoi se Jonila Godole kishte kërkuar edhe largimin e Lulzim Bashës nga PD-ja pas humbjes së zgjedhjeve

“Edhe pse dje mori konfirmimin si Sekretare për të Përndjekurit Politikë nga të besuarit e Lulzim Bashës, vetë Godole duket se nuk beson aq shumë te lideri i PD. Disa ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ajo është shprehur se Lulzim Basha nuk duhet të ishte në krye të PD”.

Mesazhet ishin dy: Nëse dikush duhet të largohet nga PD-ja, i pari është Basha si humbës dhe jo Berisha. Dhe së dyti, Basha ka zgjedhur në lidershpin e tij figura si Godole që nuk besojnë tek ai si lider, madje guxojnë të dalin kundra Berishës.

Nuk dihet nëse Lulzim Basha ka marrë ndonjë mesazh tjetër kërcënues nga Sali Berisha, por deklarata e Jonila Godoles për ndarje nga Berisha është zhdukur me urgjencë nga faqja e ‘RD’-së. Deklarata e Jonila Godoles ka qëndruar më pak se 3 orë në organin zyrat të PD-së.

Dhe jo vetëm kaq. Kryeredaktori i gazetës Rilindja Demokratike, Bledi Kasmi, me ose pa porosi të Bashës, bëri një autokritikë publike, duke kërkuar në një farë mënyrë ndjesë për lejimin e debatit për ndarjen ose jo të PD-së nga Berisha. Kasmi e shpalli Berishën ‘burrë shteti’. Autokritika e Bledi Kasmit gjeti gjithashtu pasqyrim në median e Familjes. Ai tha se e kishte pasqyruar deklaratën e Godoles për hir të fjalës së lirë, duke hedhur poshtë dyshimet se pas saj fshihet Basha.

“Asgjë nuk na lëkund nga besimi se Berisha në funksionet e tij të të bërit shtet dhe opozitar, në të gjithë dimensionin e tij politik mbetet burrë shteti, por fjala e lirë është tjetër, pasqyrimet e saj janë tjetër dhe qëndrimet mbi to krejt tjetër. Mirënjohje të gjithë lexuesve për sugjerimet e tyre”.

Reflektimi i Lulzim Bashës për këtë ‘gabim’ nuk mbaron me kaq. Menjëherë pas autokritikës së Kasmit, kryetari i ri i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rrushaj, nisur nga furtuna që shkarkoi Godole, u kërkoi anëtarëve të ekipit të ri të Lulzim Bashës që të mos bënin asnjë deklaratë publike në media, pa marrë miratimin më parë nga rrethi i Bashës për mesazhin që duhet të përcjellin.

“Mirëmbrëma të gjithëve! Duke ju uruar shumë suksese në detyrën e rëndësishme që ju kemi besuar, kërkoj mirëkuptimin tuja për të mos konfirmuar asnjë dalje mediatike pa koordinuar mesazhin politik për temat që do të diskutohen. Gjithashtu çdo dalje mediatike për çështje politike duhet të realizohet me njoftim paraprak të zyrës së shtypit të PD. Ju falënderoj për mirëkuptimin! Për çdo informacion apo sqarim me shkruani/telefononi tek numri im dhe jo në këtë grup. Gjithë të mirat. Alfred Rrushaj”.

Pavarësisht këtyre lëvizjeve reflektuese të Bashës, Familja Berisha duket se nuk është qetësuar dhe kërkon ndëshkimin e sekretares së sapozgjedhur Jonila Godole, si mësim për të tjerët. Në median e Familjes është pasqyruar një deklaratë e kryetarit të Shoqatës Antikomuniste e ish-të Përndjekurve, Nebil Çika, i cili thotë se Jonila Godole nuk përfaqëson shtresën e ish të përndjekurve. Mesazhi është i qartë: Basha ka gabuar që e propozuar Jonila Godolen dhe duhet të gjejë në mënyrë për ta larguar nga pozicioni i sekretares për ish të përndjekurit politikë.