Unioni Turistik i ka dërguar sot një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për të parë mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të masave anti-COVID. Sipas tyre, masat anti-COVID, duke përmendur orën policore dhe moslejimin e muzikës pas orës 22:00, po pengon mbarëvajtjen e sezonit turistik. Unioni Turistik kërkon rishikim të rregullave, në mënyrë që, sipas tyre, të ndihmohen bizneset dhe t’u krijohet mundësia për argëtim turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushime.

“Jemi te mendimit se ne kushtet aktuale duhet rishikuar mundësia për zgjerimin e këtyre masave në mënyrë që të ndihmohen bizneset dhe njëkohësisht t’u krijohen kushtet për argëtim turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre,pasi kjo do shtonte kërkesën dhe do bënte të mundur rritjen e numrit te turisteve që do vijnë në Shqipëri, gjë e cila do kontribuonte në rritjen e të ardhurave për ekonominë tonë. Siç jeni në dijeni, shumë vende Europiane, përfshire edhe fqinjët tanë, me qëllim që të mos shkaktojnë barriera gjate sezonit turistik, kane hequr orën policore, lejojnë organizimin e eventeve në ambiente të hapura, tarraca,veranda, oborre deri në maksimum 100 persona, por jo me shume se 50 për qind e kapacitetit të hapësirës, lejojnë muzikën gjate organizimit të eventeve, ne pajtim me protokollin adekuat dhe brenda nivelit te zhurmave, duke garantuar komoditet p€r çdo pushues vendas dhe te huaj”, thuhet në kërkesë.

Unioni Turistik shprehet se kanë marrë shumë ankesa nga turistët për shkak të moslejimit të muzikës pas orës 22:00, duke theksuar se ata vijnë në Shqipëri për t’u argëtuar dhe jo për të ndenjur në dhomë, ndërsa sugjerojnë që ky orar të zgjatet deri në orën 24:00.

“Për shkak te moslejimit të muzikës pas orës 22:00 kemi marre shumë ankesa nga turistët të cilët janë të pakënaqur ngaqë nuk kane ardhur për t’u mbyllur në dhomë, po për të pushuar dhe për t’u argëtuar,me qëllim që turistët të marrin kënaqësinë e pushimeve, sugjerojmë që ky orar të zgjatet deri në orën 24:00 në mënyrë që të mos u shkaktohet mërzitje turistëve, pasi ora 22 nuk mjafton duke pasur parasysh faktin që gjatë periudhë së verës kjo orë është koha që errësohet dhe gjatë ditës njerëzit janë në pune dhe darkat ngelen më të frekuentuara nga qytetaret”, thuhet mes të tjerash në kërkesën drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.