
Universitetet e vendit prezantuan ofertën për vitin e ri akademik gjatë një takimi informues në qytetin e Lezhës. Aktiviteti u organizua me pjesëmarrjen e maturantëve të shkollave të mesme të zones, ku përfaqësues të fakulteteve dhe stafeve akademike shpjeguan në detaje degët e ofruara, mundësitë e bursave dhe praktikat profesionale që universitetet zhvillojnë në bashkëpunim me biznese dhe institucione lokale. Universiteti i Shkodrës mori vëmendjen kryesore gjatë prezantimit të ofertës akademike.Rektori Tonin Gjuraj ju kërkoi maturanteve të Lezhës që të kenë zgjedhje të parë institucionin arsimor që ai drejton, për traditen që ka dhe për reformat që po ndërmarren në shtimin e programeve të reja të studimit.
Ky aktivitet është pjesë e fushatës informuese që universitetet po zhvillojnë në qytete të ndryshme të vendit, me synimin për t’u ofruar të rinjve mundësinë për të marrë një vendim të informuar mbi të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale. Universiteti i Shkodrës ka nxjerrë personalitete të larta të vendit dhe politikës. Në këtë universitet është diplomuar vetë rektori Gjuraj, kreu i SPAK, Altin Dumani, ish kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, zv.Kryeministrja Belinda Balluku, ministri aktual i Drejtësisë Ulsi Manja e shumë të tjerë.