Universiteti i Prishtines letër kërcënimi me nënshkrimin ISIS

Universiteti i Prishtinës ka marrë një letër të nënshkruar me inicialet e organizatës terroriste Shteti Islamik apo ISIS, ndërsa rektorati i këtij universiteti po bënte përgatitjet për ceremoninë e shënimit të 47-vjetorit të themelimit të universitetit. Lajmin e ka konfirmuar prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti. Sipas tij, ceremonia për shënimin e përvjetorit të Universitetit të Prishtinës është dashur të mbahet në Sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. “Dje në mëngjes, stafi jonë, kur shkoi të bëj përgatitjet për mbajtjen e ceremonisë, e gjen një letër, e cila paralajmëronte kërcënimin, nën firmën ose emrin e ISIS-it. Në letër thuhej ‘Do t’ju sulmojmë me datën 15 shkurt, në orën 11:00, ISIS, shihemi të Zoti’. Do të thotë, saktësisht në terminalin kur ne e kemi pasur të parashikuar mbajtjen e ceremonisë”, tha Hoti. Ai ka shtuar se letrën kërcënuese e kanë dërguar në Policinë e Kosovës ndërkaq ceremonia për shënimin e themelimit të Universitetit të Prishtinës është mbajtur sot në sallën e Senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Por burime brenda policisë së Kosovës thanë se janë në dijeni për këtë letër, mirëpo sipas tyre, kjo nuk është diçka serioze.

Artikulli paraprakARRESTOHET SHQIPTARI KREU I RRJETIT TË DROGËS
Artikulli tjetërPARLAMENTI EUROPIAN MIRATON REZOLUTËN, KUSHT ZGJEDHJET E LIRA DHE DREJTËSIA