953 studentë të rinj kanë nisur rrugëtimin e tyre akademik në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik mblodhi në auditorët e universitetit studentët e rinj, pedagogët dhe drejtuesit e institucioneve arsimore. Rektorja, Prof. Dr. Blerta Dragusha, uroi studentët për nisjen e studimeve, duke vlerësuar zgjedhjen e tyre për të vijuar arsimin e lartë në Shkodër.

Nga 953 studentët e rinj, 937 janë nga Shqipëria, ndërsa 16 vijnë nga trojet shqiptare. Krahasuar me një vit më parë, numri i studentëve shqiptarë të regjistruar në këtë universitet është rritur me rreth 8 për qind.

Në ceremoninë e hapjes, drejtuesja e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Shkodër, Brisela Kadija, vuri theksin tek bashkëpunimi mes arsimit parauniversitar dhe atij universitar, me synim orientimin e maturantëve drejt Universitetit të Shkodrës. Për studentët e rinj, kjo ditë shënon edhe nisjen e një kapitulli të ri, mes emocioneve dhe pritshmërive për vitet e universitetit.

Interesi i studentëve është përqendruar veçanërisht tek programet e Infermierisë, Infermieri-Mami dhe Edukimit Fizik, të cilat kanë plotësuar kuotat. Ndërkohë, programi i ri “Business Administration”, që zhvillohet në gjuhën angleze, ka arritur rreth 85 për qind të regjistrimeve. Me nisjen e vitit të ri akademik, rreth 3 mijë studentë pritet të jenë pjesë e auditorëve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakFAKULTETI I DREJTËSISË, FOKUS PRONËSIA INTELEKTUALE
Artikulli tjetërSEANCË PLENARE, BERISHA NGA FOLTORJA: PUSHO MOS FOL TI ATJE, LËRI ATO QËNDRIME HISTERIKE