
Promovim libri në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës”
Më 12 korrik 2025, në ambientet e Bibliotekës “Zoja e Shkodrës”, pranë Katedrales, u zhvillua promovimi i librit “Skënderbeu i Madh – Roman kalorësiak” i autores franceze Anne de La Roche-Guilhen, botim i sjellë në shqip nga Revista “Shejzat”, në kuadër të koleksionit “Rradhonjtë e Shejzave”.
Aktiviteti u moderua me përkushtim nga Xherardo Nikjari, student i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ndërsa fjala përshëndetëse u mbajt nga dom Vlash Palaj.
Libri u kumtua nga Ardian Ndreca dhe Edmond Malaj, të cilët sollën për lexuesin një interpretim të thelluar të kësaj vepre të rrallë mbi figurën e Skënderbeut në letërsinë evropiane.
Në promovim ishte i pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Tonin Gjuraj, duke treguar mbështetjen e institucionit për nisma kulturore dhe letrare të kësaj natyre.
Një mbrëmje kulturore e veçantë që i fali Shkodrës një tjetër përjetim të historisë kombëtare përmes gjuhës së romanit dhe traditës intelektuale.






