
Ura mbi lumin Mat, në rrugën nacionale Lezhë–Milot, vijon të jetë e mbyllur. Ndërhyrja emergjente, e nisur prej muajit tetor dhe që ishte planifikuar të përfundonte brenda vitit 2025, ende nuk ka përfunduar. Shkak janë bërë prurjet e shumta të lumit Mat pas reshjeve të shiut të fillimjanarit, duke vështirësuar punën dhe duke ridëmtuar sërish dy prej këmbëve të urës.Banorë të zonës dhe drejtues mjetesh thonë se mbyllja e urës u ka sjellë vështirësi të shumta në lëvizje, duke e konsideruar të papranueshme situatën e krijuar prej 6 muajsh.
Për shkak të dëmtimeve të shumta, gjatë sezonit veror Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi bllokimin e qarkullimit në këtë urë, e cila i shërben veriut të vendit. Për rikonstruksionin dhe përforcimin e saj u akordua një fond emergjent me vlerë 107 milionë lekë.Aktualisht janë kryer rreth 80% e punimeve për përforcimin e saj, por ende nuk ka një afat se kur mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.Ura mbi lumin Mat është ndërtuar në vitin 1982 dhe ka një gjatësi prej 844 metrash, duke u konsideruar një prej urave më të gjata në vendin tonë.






