Edhe pse ka një projekt për restaurimin e urës së vjetër të Bunës ende nuk është vënë në zbatim. Këshilli kombëtar i restaurimeve me 1 qershor të këtij viti në një prej vendimeve miratoi projektin për restaurimin e urës së vjetër të Bunës. Mesa duket ekziston një projekt që është dërguar deri tek ky këshill nga ku më pas edhe është miratuar.

Në fakt ura e vjetër e Bunës është në inventarin e drejtorisë rajonale të kulturës në Shkodër dhe si e tillë është ky institucion që duhet ta sjellë në jetë atë projekt për restaurimin e asaj ure qindra vjeçare që mbart një histori shumë të pasur. Një ditë më parë Star Plus tregoi edhe njëherë se në çfarë gjendje jo të mirë gjendet ura e Bunës e cila po shkon drejt shkatërrimin dhe vlerat e saj po humbasin dita-ditës si shkak i vjedhjeve të pamëshirshme të pjesë metalike në të gjithë trupin e urës. Në fakt edhe pse ekziston ky vendim i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve ende nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Riparimi i disa dërrasave të urës gjatë fushatës elektorale më shumë ishte një shoë nga drejtoria rajonale e autoritetit rrugor se sa një investim serioz për ta shpëtuar urën. Madje ajo ndërhyrje është bërë pa miratimin e drejtorisë rajonale të kulturës duke qenë se ura e vjetër e Bunës është në listën e monumenteve. Tashmë duhet pritur nëse ky projekt i miratuar do të vihet ndonjëherë në zbatim apo vetëm do mbesë në letër. Ura e vjetër e Bunës është ndërtuar me fondet e qeverisë turke në vitin 1889. Për ndërtimin e saj u përdorën këmbë çimentoje të lidhura me trarë hekuri, si dhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj. Ura e vjetër e Bunës është hapur me anë të një mekanizmi në formë manuale, hapja e së cilës në fillim shërbeu si mbrojtje nga rreziku malazez e më vonë për të bërë të mundur lëvizjen e varkave nga lumi Buna në liqenin e Shkodrës dhe anasjellas.

Artikulli paraprakSHKODËR DY AKSIDENTE NË 24 ORË
Artikulli tjetërLIQENI I SHKODRËS, NJË “RELIKE” QË KËRKON PËRKUJDESJE