
Ura në fshatin Bardhaj është dëmtuar rëndë dhe rrezikon të shembet nga dita në ditë. Një pjesë e strukturës mbajtëse nën urë është shembur, ndërsa dëmtimi po përkeqësohet çdo ditë. Banorët thonë se situata është bërë e rrezikshme, saqë shumë prej tyre shmangin kalimin mbi urë. Ata theksojnë se fëmijët janë të detyruar të shkojnë në këmbë çdo mëngjes në shkollë, pasi kanë frikë të kalojnë me automjete mbi urë. Edhe autobusët e transportit të shkollës nuk afrohen, për shkak të rrezikut që paraqet kalimi në këtë urë.
Sipas banorëve, ura është dëmtuar prej rreth 10 ditësh, por pavarësisht shqetësimeve të ngritura, nuk është marrë asnjë masë .
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke theksuar se ura jo vetëm po degradon me shpejtësi, por edhe po rrezikon seriozisht jetën e tyre.






