Në një kohë jo shumë të largët mbase askush të paktën për pak kohë nuk do të mund të ngjitet ashtu si zakonisht në kalanë “Rozafa”. E vetmja rrugë që të çon lart drejt kështjellës rrezikon seriozisht shembjen e saj. Kjo pjesë që është e shtruar me kalladrëm dhe gurë shumë të vjetër nuk është çudi nëse një ditë shembet. Përveçse kalaja mund të mbetet pa një rrugë lidhëse po ashtu shembja e saj mund që të sjellë edhe ndonjë aksident tragjik.

Ka disa kohë që rruga edhe pse me një gjatësi të shkurtër rrezikon shembjen si shkak i amortizimit të saj. Në dy anët e saj, në pjesën e poshtme në mes të rrugës, gurët e mëdhenj shihet qartë se kanë lëvizur nga vendi dhe nga momenti në moment mund të bien duke sjellë edhe shembjen e atij aksi. Përveçse në pjesën që është me hark edhe në mes kësaj ure lidhëse në mes rrugës kryesore që lidh qytetin e Shkodrës me kalanë, edhe në mes të saj, gurët me madhësi më të vogël kanë krijuar hapësira dhe ndonëse në një masë jo shumë të madhe kanë lëvizur nga vendi duke rrezikuar po ashtu shembjen. Në një pjesë të urës, para pak kohëve është bërë një meremetim shumë i vogël por që siç duket nuk ka qenë i mjaftueshëm. Në këtë urë që të çon në kalanë “Rozafa” përveç mjete të vogla motorike ngjiten edhe mjete më të rënda çka mund ta bëjë më të lehtë shembjen e saj. Patjetër që institucionet që kanë përgjegjësi për urën nga ku nis rruga që më pas përfundon në oborret e Rozafatit duhet të marrin masat e menjëhershme për një rikonstruksion të plotë me qëllim largimin e rrezikut për shembjen e asaj pjese. Natyrisht që nëse ndodh që gurët të bien atëherë do krijonte një imazh aspak të mirë tek turistët e huaj dhe do dëmtonte turizmin kulturor, imazh i cili nuk është aspak i lehtë për t’u fituar në vëmendjen e të huajve. Nga ana tjetër shembja e urës do bllokonte për ditë me radhë ngjitjen në kalanë “Rozafa” duke sjellë edhe një dëm ekonomik.