Uragani ‘Maria’,25 viktima në ishujt e Karaibeve

Uragani“Maria” fshikulloi ishujt Turks dhe Caicos këtë të premte, pasi shkatërroi shtëpi, shkaktoi përmbytje masive, rrënoi ekonomitë dhe vrau të paktën 25 persona në Porto Riko dhe ishujt e tjerë të Karaibeve. “Maria” ishte i dyti uragan i madh që goditi Karaibet gjatë këtij muaji, si dhe stuhia më e fuqishme që ka goditur territorin amerikan të Porto Rikos në afro 90 vite. Ajo shkatërroi tërësisht sistemin e furnizimit me energji elektrike të ishullit, ndërsa disa lumenj arritën nivele rekord duke shkaktuar përmbytje. Zyrtarët e Porto Rikos thanë këtë të premte se 6 persona ishin konfirmuar të vdekur nga stuhia. Tre të tjerë humbën jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dherave në Utuadno, qendra malore e ishullit; dy u mbytën nga ujërat e vështueshëm në Toa Baja, në perëndim të San Juanit; ndërsa një tjetër vdiq në Bayamon, pasi u godit nga një panel diellor. Më herët, raportimet në medie e çonin shifrën e viktimave në këtë ishull në 15. “Për momentin këto janë shifrat e fatkeqësive që dimë deri tani, por nga burime jozyrtare kemi informacione edhe për fatalitete të tjera, të cilat nuk kemi mundur t’i konfirmojmë”, tha Hector Pesquera, Sekretar i qeverisë për Sigurinë Publike. Përreth San Juanit, njerëzit kanë dalë të pastrojnë mbetjet nëpër rrugë, ndërsa disa nisën të hapin edhe bizneset, edhe pse nuk i dihet sesa gjatë mund të vazhdojnë pa energji elektrike dhe me inventare të kufizuara. “Nuk ka ujë, s’ka energji dhe asgjë tjetër”, tha Rogelio Jimenez, një punonjës 34-vjeçar restoranti. “E kemi hapur sot, sepse kemi përllogaritur të kemi mjaftueshëm furnizim për të paktën një javë. Nëse nuk mbetet asgjë pas kësaj kohe, do ta mbyllim biznesin”. Guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rossello shpalli “shtetrrethimin” nga mbrëmja deri në agim, deri ditën e shtunë, për 3.4 milionë banorët e ishullit. Ai tha se rreth 700 persona ishin shpëtuar nga përmbytjet dhe se ndërlidhja rrugore është e vështirë me pjesën juglindore të ishullit.

Artikulli paraprakFSHIN KILOVATËT NË MATËS, ARRESTOHET ELEKTRICISTI DHE ABONENTJA
Artikulli tjetërREFORMA ZGJEDHORE. RAMA: NUK DO ECIM ME MENUNË E PD