Urdhri i Tahirit, vazhdon aksioni nga toka e ajri kundër kanabisit

Policia e Shtetit vazhdon operacionin në të gjithë vendin në kuadër të planit të firmosur nga ministri Tahiri për të kontrolluar territorin dhe parandaluar kultivimin e bimëve narkotike. “Deri tani fushata e parandalimit ka pasur sukses të plotë. Asnjë rrënjë kanabis nuk është gjetur as në vendet e mbyllura e as të hapura. Po vijojnë operacionet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për luftën kundër drogës. Kontrollet kanë nisur shumë me herët se vitin e kaluar” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Në këtë kuadër që prej javës së kaluar Policia e Shtetit po zhvillon kontrolle masive në të gjithë vendin. Po në kuadër të këtyre masave është edhe monitorimi nga ajri i zonave me risk. Policia e Shtetit ka nisur monitorimin nga ajri në të gjitha zonat ku është shkatërruar vitin e kaluar, por edhe në zonat e konsideruara me risk. Paralelisht me kontrollet nga toka kanë nisur edhe patrullimet nga ajri në të gjitha ato zona të cilësuara me risk nisur nga kultivimi gjatë vitit të kaluar, por edhe në ato zona bazuar në informacionet policore të grumbulluara deri tani ku dyshohet se mund të kultivohen bimë narkotike. Policia e Shtetit mbyll deklaratën me konfirmimin se është e vendosur të parandalojë kultivimin e bimëve narkotike, si dhe të ndëshkojë cilindo që do tentojë të kultivojë bimë narkotike.