Urimi i Presidentit të KISH-it, Imzot Gjergj Meta, për fillimin e
muajit të Ramazanit
Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë
Imzot Gjergj Meta i cili këtë vit kryeson edhe Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, i ka uruar
besimtarët myslimanë me anë të një letre drejtuar kryetarit të KMSH Zotit Bujar Spahiu dhe
Kryegjyshit botëror të Bektashinjëve Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ja edhe teksti i mesazhit të urimit të Presidentit të KISH-it:
“Me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit dëshiroj t’ju uroj juve e nëpërmjet jush të gjithë
vëllezërve e motrave myslimanë të Shqipërisë një kohë sa më të frytshme shpirtërore.
Në librin e Kuranit thuhet: “O ju që besuat! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim
edhe për ata që ishin para jush, kështuqë të bëheni të devotshëm”. (Ajeti 183 i Sures Bekare). Kjo
fjali tregon qartë se praktika e agjërimit përbashkon besimet abrahamike, me gjithë specifikat e
veta që kanë të bëjnë me kohën, momentin apo perspektivat e ndryshme teologjike.
Fakti që këtë vit, periudha e agjërimit për myslimanët përkon deri diku edhe me kohën e Kreshmes
për ne të krishterët, mund të jetë një rast i mëtejshëm i një mirëkuptimi dhe solidariteti shpirtëror
midis besimtarëve dhe bashkësive tona fetare në Shqipëri.
Agjërimi sigurisht nuk është një qëllim në vetvete, as një praktikë për të mbajtur trupin në formë,
por nëpërmjet një sakrifice të trupit, duke hequr dorë nga ushqimi, kërkohet një bashkim më i
thellë me Zotin, një rikthim tek esencialja e jetës dhe një hapje e zemrës ndaj të tjerëve. Në këtë
mënyrë besimtarët relativizojnë, por pa përçmuar, atë çka i përket sferë materiale të jetës, për të
depërtuar gjithnjë e më thellë në kuptimin thelbësor të saj. Afrimi i njeriut me Zotin dhe solidariteti
me njëri-tjetrin e bën shoqërinë dhe njerëzimin me të mirë duke e larguar nga çdo pretendim
vetëmjaftueshmërie dhe egoizmi.
Uroj një agjërim të lehtë e të pranuar nga Zoti për çdo besimtar mysliman që në këtë muaj
do të agjërojë. Të vazhdojmë me këmbëngulje rrugëtimin tonë të dialogut e të bashkëjetesës
ndërfetare në vend, si një detyrë që na e kërkon Zoti dhe koha në të cilën jetojmë.”
Imzot Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit
President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Artikulli paraprakSHTYHET AFATI I GARËS PËR KONCESIONIN E 365 MLN EURO TË AUTOSTRADËS MILOT-BALLDREN!
Artikulli tjetërLEZHË, PËRPLASI NJË 50 VJEÇARË ARRESTOHET 33 VJEÇARJA