
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, përmes një ceremonie solemne, i ka akorduar titullin “Doktor Honoris Causa” studiueses së njohur italiane, Lucia Nadin, në vlerësim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm në studimet shqiptare dhe albanologjike. Titulli iu dorëzua nga rektori i universitetit, Tonin Gjuraj. Ky vlerësim erdhi me propozimin e Departamentit të Historisë dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, pas miratimit nga Senati Akademik dhe Ministria e Arsimit.
Studiuesja italiane Lucia Nadin u shpreh se ky vlerësim ka një rëndësi të veçantë emocionale dhe akademike për të, duke theksuar lidhjen e saj të hershme me Shkodrën dhe studimet shqiptare.
Lucia Nadin njihet veçanërisht për zbulimin dhe botimin e “Statuteve të Shkodrës”, një dokument me vlera të mëdha historike për Shqipërinë mesjetare, i cili u gjet prej saj në Bibliotekën e Muzeut të Venecias.
Po ashtu, studiuesja italiane ka sjellë kërkime të rëndësishme mbi emigrimin shqiptar në Venecie gjatë shekujve XV-XVI, traditën ikonografike të Skënderbeut, si dhe historinë e klerikëve katolikë shqiptarë në Republikën e Venecias.
Lucia Nadin mban prej vitit 2010 edhe titullin “Qytetare Nderi” e Shkodrës.






