Ushtarë kundër ISIS, Shqipëria do dërgojë një togë operacionale në Irak

Me kërkese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria do të dërgojë në Irak, një njësi ushtarake operacionale, një togë e cila do marrë pjesë në operacionet tokësore kundër militantëve të organizatës terroriste ISIS. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli informoi në komisionin e sigurisë se i ishte dërguar një kërkesë edhe qeverisë së Irakut për të dhënë kredencialet. Më pas në Kuvend do paraqitet edhe një projektligj që do përcaktojë detajet, kohën dhe numrin e ushtarakëve shqiptarë që do bashkohen me njësitë e tjera të vendeve aleate në koalicionin anti ISIS. Këto trupa do vendosen në një bazë ushtarake në Irak. Pjesëmarrja e njësisë ushtarake shqiptare në koalicionin global kundër ISIS është vullnetar, ndonëse vjen pas një kërkese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trupat ushtarake kanë qënë të angazhuara për një kohë të gjatë në Irak, por kryesisht në operacionet e ruajtjes së objektivave ushtarake apo shoqërimit të autokolonave.