Velipoja nuk ka të privatizuar hapësirën publike vetëm në pjesën e plazhit me shezllone pafund por edhe kudo përreth saj. Informaliteti dhe privatizimi pa kriter ka përfshirë pothuajse totalisht zonën e Velipojës. Edhe ato pak pyje që kanë mbetur aty për fatin e keq ndodhen të privatizuara. Është e çuditshme se si edhe pishat vetëm pak metra larg plazhit janë të privatizuara. Pothuajse kudo mes pyjeve ku ndodhen pemët e larta janë krijuar vende parkimi me pagesë.

Siç tregojnë edhe tabelat e jashtëligjshme për të parkuar në mes të pishave duhet që të paguash 100 lekë të vjetra, përndryshe nuk mund të parkosh ose edhe nëse dikush e lë makinën aty mund ta gjejë të dëmtuar nga ata që i kanë dalë për zot të administrojnë jashtë të gjitha rregullave edhe pjesën e pishave.Është totalisht e pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike që zona e pishave në pjesë të ndryshme të uzurpohet në këtë lloj mënyre pa u shqetësuar nga askush.Jo vetëm se ka tabela treguese për parking por në disa vende këto parkingje të improvizuara janë edhe të rrethuara me rrjetë teli. Ende ndërtesat që janë në Velipojë nuk kanë dokumentacion dhe presin legalizimin e po ashtu ende aty nuk është miratuar as master plani i ri. Kështu privatizimi i pishave aq sa duket qesharak është edhe tejet absurd. Disa herë institucionet kanë zhvilluar aksione të ndryshme në Velipojë por siç duket për këto vende parkimi të uzurpuara apo edhe për raste të tjera si këto kanë mbyllur sytë duke lënë që i gjithë plazhi të keqpërdoret. Mbase lënia e detyrës e ish-kryetarit të komunës Pashko Ujka dhe mungesa e një administratori në kulmin e sezonit turistik mund të ketë patur ndikimin e vet edhe pse kjo gjendje nuk vjen për të parën herë por është përsëritur vit pas viti. Të tilla privatizime të jashtëligjshme dhe shfrytëzimi pa kriter i Velipojës patjetër që krijojnë një imazh negativ në sytë e turistëve të huaj apo pushuesve që vijnë nga Kosova për të kaluar disa ditë në Velipojë dhe drejtpërdrejtë dëmtojnë turizmin.

Artikulli paraprakBRENDA 7 SHTATORIT MBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK
Artikulli tjetërSHOQATA E GJUETARËVE SHKODËR: QEVERIA JO KORREKTE