
Një tjetër histori e trishtë shqiptare është bërë publike, ku babai i një vajze 32 vjeçare rrëfen sesi ajo mund të jetë trafikuar e ndërsa pas rreth një viti e gjysmë që rezultonte e zhdukur, është rikthyer për të takuar dy vajzat e saj.
Burri në fjalë ka rrëfyer tërë orvajtjen, ndërsa beson se e bija është larguar me një bashkëfshatar të saj, të cilin ai e ka denoncuar dhe në polici. Sipas tij, shfaqja e papritur e vajzës së tij mund të vërë në rrezik dy mbesat të cilat janë 12 dhe 8 vjeçe. Shfaqja e saj pas një viti e gjysmë ka tronditur familjen Kokomani në Hardhishtë të Shijakut. Babai i saj, Skënder Kokomani, tregon arsyen që e shtyu të bëjë kallëzim në Policinë e Durrësit një vit e gjysmë pas ikjes nga shtëpia të vajzës së tij. Shfaqja e papritur e Idës, mund të vërë në rrezik sigurine dhe mirëqënien e mbesave të tij, që jetojnë me të atin në Tiranë. “Mendoj se vajza ime është e trafikuar dhe duhet të gjendet, pasi ka lënë 2 fëmijë në rrugë… Vajza është kthyer prej një jave nga Italia. Ka tentuar të takojë dy vajzat. I shoqi nuk e ka lejuar dhe ato janë trembur. Unë nuk e di si do të sillet me pas ajo. Nuk na ka telefonuar, as takuar. Ka shkuar vetëm për të takuar vajzat dhe kjo na tremb”, rrëfen Skënder Kokomani, babai i 33-vjeçares. Hyrje-daljet në kufi të vajzës së tyre, informacion që e kanë marrë nga hetimet e bëra në bazë të kallëzimit në Tirane nga bashkëshorti i vajzës, sipas babait, dëshmojnë papërgjegjshmërinë e së bijës në lidhje me vajzat. Ajo ishte në shtëpinë e babait, bashkë me 2 vajzat, që sot jane 12 dhe 8 vjeçe, kur u largua me një makinë. “Shteti duhet të vëjë dorë. T’i bllokohet pasaporta asaj dhe atij që e trafikon. Të gjendet kush e trafikon. Ajo ka lënë dy fëmijë në rrugë. I ka braktis dhe tani i kërkon. Unë si baba i saj nuk pranoj në asnjë mënyrë që ajo të marre vajzat, pas një viti e gjysme që ka heshtur. Nuk është interesuar për to“, thotë ai. Pas kallëzimit, policia po punon për gjetjen e 32-vjeçares që akuzohet për braktisjen e fëmijëve të mitur, ndërsa babai i saj pret nga autoritetet të zgjidhin këtë situatë pa rrezikuar mbesat, ndërsa nga e bija kërkon që të denoncojë trafikuesin ose të vuajë në burg pasojat e një veprimi të papranueshëm për familjen e tij dhe shoqërine.


