Vaksina Novavax është e para që tregon se është efektive kundër variantit të ri të koronavirusit të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ka rezultuar 89.3% efektive në provat e realizuara në Mbretërinë dhe në masën 60% edhe për variantin e Afrikës së Jugut.

Kryeministri Boris Johnson e ka cilësuar si një lajm shumë të mirë, ndërkohë që ndryshe nga vaksinat Pfizer dhe Moderna, vaksina e Novavax mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferike, që do të thotë se mund të shpërndahet më lehtë.

Stan Erck, shefi ekzekutiv i Novavax, tha se rezultatet nga eksperimenti në Mbretërinë e Bashkuar ishin “spektakolare” dhe “aq të mira sa mund të shpresonim”, ndërsa efikasiteti në Afrikën e Jugut ishte “mbi pritjet e njerëzve”.

Deri më tani, Mbretëria e Bashkuar ka siguruar 60 milion doza të vaksinës ndaj COVID-19. Dozat pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të këtij viti, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA).

Britania e Madhe ka miratuar tani tre vaksina të koronavirusit për përdorim urgjent – një nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca, një tjetër nga Pfizer dhe BioNTech dhe një i tretë nga firma mjekësore Moderna.