
Valdrin Pjetri emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave
Qeveria ka emëruar Valdrin Pjetrin në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), një institucion kyç në administrimin e proceseve që lidhen me njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave.
Zotit Pjetri, ju besua drejtimi i institucionit në një fazë të rëndësishme të konsolidimit të shërbimeve dhe avancimit të proceseve në fushën e pronave.
Me një përvojë të gjatë në administratën publike dhe në drejtimin e institucioneve shtetërore, Valdrin Pjetri konsiderohet një administrator me eksperiencë në menaxhimin e strukturave të rëndësishme. Ai ka përfunduar studimet e larta në Financë-Kontabilitet dhe zotëron një master të nivelit të dytë në Lidership.
Karriera e tij përfshin një sërë pozicionesh drejtuese. Nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka shërbyer si administrator pranë Ministrisë së Financave, ndërsa gjatë viteve 2014–2017 ka mbajtur detyrën e drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në vitin 2018 u emërua drejtor i Hipotekës së Tiranës, ndërsa një vit më pas ushtroi detyrën e kryeregjistruesit dhe më pas atë të prefektit të Qarkut Shkodër. Që prej vitit 2022 ka ushtruar funksionin e administratorit të AMI pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), duke vijuar angazhimin në pozicione me përgjegjësi në administratën publike.
Emërimi i tij në krye të ATP-së shihet si një vlerësim i eksperiencës së akumuluar ndër vite, ndërsa pritet të kontribuojë në rritjen e eficiencës institucionale, forcimin e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.


