Kjo e mërkurë ishte një ditë e veçantë për banorët e Postribës. Fermeri Kujtim Plangaj realizoi një sfidë të denjë për Rekordin Botëror Guinness. Me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve, ai krijoi një varg prej 110 metrash me qepë, të cilin e ekspozoi përgjatë Urës së Mesit.

Për Kujtimin, ky është një moment mjaft emocionues, pasi përfaqëson shpërblimin e një pune të gjatë dhe plot sakrifica. Ai thotë se, përtej rekordit, kjo është një mundësi e mirë për të promovuar turizmin në Postribë, si edhe qepën e zonës, një produkt tashmë të njohur në të gjithë rajonin.

Nisma ngjalli interes edhe tek turistët vendas dhe të huaj, të cilët u ndalën për të parë nga afër vargun gjigant të qepëve dhe e duartrokitën këtë iniciativë të veçantë, duke e cilësuar atë si një mënyrë origjinale për promovimin e traditës dhe turizmit të zonës.

Kjo nismë synon të promovojë vlerat, traditën dhe potencialin turistik të Postribës. Banorët shpresojnë që rekordi i vargut 110 metra të gjatë me qepë të kthehet në një tjetër arsye që vizitorët të ndalen e të njohin nga afër këtë zonë dhe produktin e saj karakteristik.

Artikulli paraprakANKTH TE VLLAZNIA, PRITET HAPJA E MERKATOS
Artikulli tjetërRUTTE E KONFIRMON: SAMITI I RADHËS I NATO-S DO MBAHET NË SHQIPËRI, NUK E KEMI VENDOSUR ENDE KOHËN/ REAGON EDHE RAMA: IKU AJO KOHË KUR BËHEJ ÇFARË TË DONIN TË TJERËT