Vatikani ka njoftuar zyrtarisht se funerali i Papa Françeskut do të zhvillohet të shtunën, më 26 prill 2025, ora 10:00, në sheshin përpara Bazilikës së Shën Pjetrit. Ceremonia do të përkojë me ditën e parë të “novendialëve”, nëntë ditëve të zisë dhe lutjes, dhe do të ndiqet sipas rregullores liturgjike të Vatikanit për varrimin e një Pape.

Trupi i Papës do të vendoset për homazhe publike që prej ditës së nesërme, në bazilikën e Shën Pjetrit, ku pritet të mblidhen mijëra besimtarë.

Ndërkohë, masat e jashtëzakonshme të sigurisë dhe transportit kanë nisur në Itali për të përballuar fluksin e madh të pelegrinëve. Rrjeti hekurudhor Trenitalia ka vënë në zbatim një plan të posaçëm, në bashkëpunim me Mbrojtjen Civile, për të lehtësuar mbërritjen e vizitorëve nga e gjithë bota.

Në Vatikan kanë nisur edhe mbledhjet e para të kolegjit të kardinalëve, ku pritet të përcaktohen hapat për përgatitjen e Konklavit të ardhshëm që do të zgjedhë Papën e ri.

Ndërkohë, bota vazhdon të nderojë kujtimin e Françeskut. Ish-presidentët amerikanë Bill dhe Hillary Clinton e përshkruan atë si një figurë të jashtëzakonshme, që i dha zë të varfërve, mbrojti klimën dhe predikoi përfshirjen dhe dashurinë pa dallim feje apo gjinie.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë mortore. Po ashtu, kanë konfirmuar praninë edhe Presidenti amerikan Donald Trump me bashkëshorten Melania, si dhe presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, i shoqëruar nga bashkëshortja Janja.

Artikulli paraprakKUSH ËSHTË KARDINALI KEVIN FARRELL, KREU NË DETYRË I VATIKANIT? DO TË MBAJË KËTË POST DERISA TË ZGJIDHET PAPA I RI
Artikulli tjetër“PENSION MINIMAL 200 EURO, MESATARI 400 EURO”, RAMA TAKIM ME TË MOSHUARIT: KUSH JU PREMTON MË SHUMË, JU ÇON DREJT HUMNERËS