
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas një pune intensive hetimore disamujore, të kryer me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, finalizuan operacionin e koduar “Vila”. Si rezultat i këtij operacioni, u identifikua dhe u ndalua shtetasi N. N., 57 vjeç, banues në Shkodër.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është bashkëpunëtor në kultivimin dhe prodhimin e 24 kg e 240 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe në kultivimin e 78 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, që janë gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e Policisë, më datë 12.10.2026, në fshatin Vilë, njësia administrative Temal. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.


