
Policia vendore e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Naraçi” për goditje e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë mënyrë policia bën të ditur se janë arrestuar katër shtetas të dyshuar për kultivim të kanabisit. Sipas policisë në pranga kanë rënë shtetasit Aleksandër Dodani, 30 vjeç, Gjergj Mardoda, 64 vjeç, Mark Mardoda, 56 vjeç dhe Alvaro Mardoda, 21 vjeç, të katërt banues në fshatin Naraç.
Ky operacion është kryer nga Komisariati i Policisë Vau Dejës. Policia bën me dije se katër shtetasit janë vënë në pranga pasi kishin kultivuar bimë narkotike në pronat e tyre. Sipas policisë në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, si rezultat i kontrollit të territorit, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga strukturat e
Komisariatit të Policisë Vau i Dejës u finalizua operacioni policor i koduar “Naraçi”, në kuadër të të cilit u arrestuan katër shtetasit Aleksandër Dodani, Gjergj Mardoda, Mark Mardoda dhe Alvaro Mardoda. Gjatë operacionit, nga kontrollet e ushtruara në tokat në pronësi të këtyre shtetasve, në fshatin Naraç, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa. Sipas burimeve policore janë mbi 100 rrënjë cannabis që janë gjetur në tokat në pronësi të këtyre shtetasve.
Policia thotë se materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë policia vendore e Shkodrës vijon pa ndërprerje aksionet në zonat malore të qarkut Shkodër, kryesisht në malet e Dukagjinit por edhe në Malësinë e Madhe, Vau Dejës apo Pukë për të goditur rastet e kultivimit të canabisit.
Gjatë këtyre ditëve disa aksione të njëpasnjëshme janë fokusuar në zonën e Dukagjinit teksa edhe atje policia vendore e Shkodrës ka asgjesuar një sasi të konsiderueshme të rrënjëve të canabisit ndërsa në këto pjesë të thella malore është më e vështirë për të arritur në identifikimin e autorëve për shkak se këta të fundit sapo shohin policinë nga largësia braktisin parcelat me kanabis ose në disa raste dyshohet se disa prej tyre kanë edhe informacion.






